Ndihma shtetërore zgjerohet me bujqësinë dhe peshkimin, kontrolli kalon tek Konkurrenca
Projektligji zgjeron rregullat e ndihmës shtetërore dhe i kalon Autoritetit të Konkurrencës kontrollin, hetimin dhe sanksionet.
Qeveria synon të zgjerojë rregullat e ndihmës shtetërore edhe në sektorët e bujqësisë dhe peshkimit, ndërsa kontrolli i skemave të mbështetjes pritet t’i kalojë Autoritetit të Konkurrencës. Ndryshimet parashikohen në një projektligj të nxjerrë për konsultim, i cili ndërhyn në ligjin nr. 9374 të vitit 2005 dhe përcakton kompetenca më të qarta për hetimin, monitorimin dhe sanksionimin në fushën e ndihmës shtetërore.
Ligji aktual zbatohet në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve, por përjashton shprehimisht “sektorët e bujqësisë e të peshkimit”. Projektligji e heq këtë përjashtim. “Ky ligj zbatohet për veprimtaritë që ushtrohen në të gjithë sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë, përfshirë sektorët e bujqësisë dhe peshkimit”, thuhet në draft.
Relacioni e cilëson përfshirjen e bujqësisë, peshkimit dhe akuakulturës si “një element të ri të përafrimit” dhe parashikon marrjen në konsideratë të rregullave të posaçme të acquis të Bashkimit Europian për ndihmën shtetërore në këta sektorë.
Kontrolli i ndihmës shtetërore kalon te Autoriteti i Konkurrencës
Ndryshimi tjetër i rëndësishëm është institucional. Sipas sistemit aktual, kontrolli ushtrohet nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore, i cili drejtohet nga ministri që mbulon çështjet e ekonomisë. Katër anëtarët e tjerë emërohen nga Këshilli i Ministrave, ndërsa Drejtoria e Ndihmës Shtetërore funksionon brenda ministrisë përgjegjëse për ekonominë.
Projektligji parashikon transferimin e këtij funksioni tek Autoriteti i Konkurrencës. “Autoriteti i Konkurrencës është autoriteti përgjegjës për kontrollin e ndihmës shtetërore në Republikën e Shqipërisë”, përcakton drafti. Komisioni i Konkurrencës do të jetë organi vendimmarrës, ndërsa një strukturë brenda Autoritetit do të kryejë funksionet administrative, teknike, hetimore dhe monitoruese.
Projektligji përcakton gjithashtu se Autoriteti i Konkurrencës, Komisioni dhe struktura përgjegjëse për ndihmën shtetërore “nuk kërkojnë ose marrin udhëzime” nga Këshilli i Ministrave, ministritë, dhënësit e ndihmës apo subjekte të tjera publike dhe private gjatë shqyrtimit, hetimit dhe vendimmarrjes.
Sipas relacionit, ndryshimi synon “ndarjen institucionale ndërmjet funksionit të kontrollit të ndihmës shtetërore dhe institucioneve publike që mund të veprojnë si dhënëse të ndihmës shtetërore”. Dokumenti i referohet edhe Raportit për Shqipërinë 2025 të Komisionit Europian, i cili kishte evidentuar nevojën për forcimin e pavarësisë operacionale dhe kapaciteteve administrative të strukturave të kontrollit.
Gjashtë muaj për transferimin e funksioneve dhe dosjeve
Komisioni aktual i Ndihmës Shtetërore do të pushojë së funksionuari pas transferimit. Projektligji parashikon një periudhë gjashtëmujore nga hyrja në fuqi për kalimin e funksioneve, dosjeve, arkivit dhe bazave të të dhënave tek Autoriteti i Konkurrencës.
Komisioni i Konkurrencës do të autorizojë skemat e ndihmës shtetërore dhe ndihmat individuale, do të vendosë për pajtueshmërinë e tyre dhe do të mund të urdhërojë “pezullimin, ndryshimin ose kthimin e ndihmës së paligjshme ose të papajtueshme”. Ndërkohë, struktura përgjegjëse pranë Autoritetit do të marrë dhe shqyrtojë njoftimet, do të kryejë hetime, do të monitorojë zbatimin e vendimeve dhe do të krijojë e përditësojë regjistrin e ndihmës shtetërore.
Konkurrenca merr kompetenca edhe për vendosjen e gjobave
Drafti shton edhe një dispozitë të posaçme për gjobat. “Për shkeljen e detyrimeve për dhënien e informacionit […] nga ndërmarrjet ose grupimet e ndërmarrjeve, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba”, parashikon projektligji. Sanksionet do të vendosen sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e konkurrencës, për aq sa ai është i zbatueshëm.
Në ligjin aktual, kur informacioni i kërkuar nuk paraqitet ose është i paplotë, Komisioni mund të marrë vendim mbi bazën e informacionit që disponon. Relacioni sqaron se projektligji merr në konsideratë Rregulloren e Këshillit të BE-së 2015/1589, veçanërisht për procedurat e kontrollit, kërkesat për informacion dhe sanksionet procedurale. Shkalla e përafrimit me acquis të Bashkimit Europian përcaktohet në dokument si e pjesshme.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)